• Diabeti

Parandalimi i Sëmundjes së Sheqerit (Diabeti)
Sëmundja e Sheqerit dhe komplikimet e tij paraqesin rrezik të madh për mbijetesën dhe mirëqenien e një numri në rritje të njerëzve. Parashikohet që një nga dhjetë evropianë të moshës 20-79 vjeçare, deri në vitin 2030, do t’i shfaqet Sëmundja e Sheqerit. Sëmundja e sheqerit përbën 18% të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në Evropë.

Sëmundja e Sheqerit mund të parandalohet.

Dëshmitë bindëse tregojnë se shenjat e para të sëmundja e sheqeritt mund të parandalohen apo të ngadalësohen shumë tek individët me rrezikshmëri të lartë (personat me rregullim të dobët të glukozës). Hulumtimet klinike kanë treguar një zvogëlim të shfaqjes së Sëmundjes së Sheqerit prej 50%, duke bërë ndryshime relativisht modeste në stilin e jetesës përmes një diete të shëndetshme, rritje të aktiviteteve fizike dhe mbajtjen e një peshe të shëndetshme trupore.

Faktorët e rrezikut:

  • mbipesha dhe obesiteti
  • dieta jo e shëndetshme dhe
  • mungesa e aktivitetit fizik dhe qëndrimi i gjatë ulur
  • duhanpirja
  • konsumimi i alkoholit

Sëmundja e sheqerit shfaqet si rezultat i ndërveprimit në mes të gjeneve dhe mënyrës së jetesës. Më se gjysma e të rriturve evropianë mund të klasifikohen si persona me mbipeshë apo me obesitet.

Çfarë e shkakton Sëmundjen e Sheqerit?
Sëmundja e Sheqerit shkaktohet nga pamundësia e qelizave të trupit që të reagojnë në insulinë dhe si rrjedhojë indet e trupit absorbojnë më pak glukozën nga gjaku (“rezistenca në insulinë”). Për ta kompensuar këtë, pankreasi prodhon dhe sekreton më shumë insulinë për ta pastruar glukozën e gjakut nga qarkullimi. Me kalimin e kohës, pankreasi dobësohet dhe nuk është në gjendje të prodhojë insulinë të mjaftueshme për t’i plotësuar kërkesat e trupit. Kjo shkakton ngritjen e glukozës në gjak (hiperglikemia) dhe si rrjedhojë shfaqet Sëmundja e Sheqerit.

Numri i madh i rasteve të pazbuluara
Përparimi i Sëmundjes së Sheqerit zakonisht merr shumë vite dhe kryesisht nuk ka shenja të sëmundjes. Kjo do të thotë se numri i njerëzve që nuk e dinë se e kanë Sëmundjen e Sheqerit është shumë i madh.

Komplikimet nga diagnostikimi i vonshëm
Sëmundja e Sheqerit është sëmundje e rëndë. Nëse nuk diagnostikohet dhe nuk trajtohet siç duhet, mund të çojë në komplikime serioze dhe të kushtueshme, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, neuropatia, sindroma e shputës, amputimi (prerja) i gjymtyrëve, dëmtimi i veshkave dhe verbëria. Niveli i lartë i sheqerit në gjak (hiperglikemia) e rrit gjithashtu edhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut (kardiovaskular) dhe e keqëson sëmundjen e mishit të dhëmbëve (parodontozën).

Kostoja për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe për shoqërinë
Sa më shumë që të zgjasë sëmundja, aq më tepër janë gjasat që do të ketë komplikime të kushtueshme. Në vendet evropiane, sëmundja e sheqerit përbën 18% të totalit të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Me një popullsi në plakje, gjasat janë që këto kosto të rriten nëse numri i të sëmurëve nuk zvogëlohet. Përveç kësaj, kostoja për shoqërinë nëpërmjet humbjes së produktivitetit mund të jetë madje edhe pesëfishi i kostove të drejtpërdrejta të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, sëmundja e sheqerit ka ndikim të madh në cilësinë e jetës së pacientit dhe të familjes së tij.

Dëshmi nga studime ndërkombëtare
Të dhënat nga studime të ndryshme nga Finlanda, Suedia, SHBA-të, Kina, India dhe Japonia kanë vërtetuar se intervenimet në mënyrën e jetesës mund t’i ndalojnë ose të paktën t’i ngadalësojnë shenjat e para të sëmundjes së sheqerit te njerëzit të cilët janë me rrezikshmëri të lartë. Çelësi i parandalimit është ndryshimi i mënyrës së jetesës, siç është zvogëlimi i peshës, rritja e aktiviteteve fizike dhe të ushqyerit e shëndetshëm.

Mbështetur nga: