• Të jetosh me diabet

Kujdesi i shputave

Shputat tuaja janë shumë të rëndësishme, posaçërisht nëse keni diabetin.

Me diabet, do të thotë që ju keni shumë më shumë gjasa të zhvilloni probleme me shputat tuaja – probleme që mund të përfundojnë me amputime. Por shumica e amputimeve mund të parandalohet – katër nga pesë në fakt. Nëse kujdeseni mirë për shputat tuaja dhe i kontrolloni ato rregullisht, mund të ulni rrezikun e zhvillimit të problemeve të shputave.

Hapat e thjeshtë, për të parandaluar problemet me shputat

Nëse ju duhen disa udhëzues për tu kujdesur për shputat tuaja, atëherë ndiqini hapat tona të thjeshta për shputa të shëndetshme:

  1. Bëni vizita vjetore të shputave.
  2. Njihni rrezikun tuaj të shputës.
  3. Kontrollojini shputat tuaja çdo ditë.
  4. Keni kujdes kur e humbni ndjesinë.
  5. Keni kujdes gjatë prerjes së thonjve.
  6. Mos përdorni brisqe ose leukoplast për largimin e kallove.
  7. Sigurohuni që mbathjet që i përdorni janë të përshtatshme për këmbët tuaja.
  8. Menaxhoni diabetin tuaj.
  9. Përpiquni ta lëni pirjen e duhanit.

Këshilla për kujdesin e përditshëm të shputave

Përkujdesja për shputat tuaja në baza ditore mund të jetë e vështirë, veçanërisht nëse keni humbur ndonjë ndjesi në to. Nëse është kështu, është mirë të flisni me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor, pasi që mund të keni nevojë për ndihmë nga një podijatër. Ne kemi vënë së bashku disa këshilla të përditshme, të cilat duhet t’ju ndihmojnë të mbani shputat tuaja në kontroll.

Bëni vizita vjetore të shputës

Një profesionist i trajnuar duhet të kontrollojë shputat tuaja të zbathura një herë në vit. Është një rast i mirë për të kontrolluar vetë, çdo gjë që mund të keni vërejtur me ta. Por mos prisni një vit për të pyetur. Nëse vëreni një problem – vizitohuni sa më parë që të mundeni.

Njihni rrezikun tuaj të shputës

Pasi të keni kryer vizitën vjetore të shputës, duhet të zbuloni rrezikun e zhvillimit të një problemi të rëndë të shputës. Nëse keni rrezik mesatar ose të lartë, profesionisti juaj i kujdesit shëndetësor duhet t’ju shpjegojë saktësisht se çfarë nënkupton kjo. Ai gjithashtu do të ju tregojnë nëse keni nevojë për tu vizituar nga një specialist shpute. Ndjehuni të lirë t’i parashtroni pyetje. Sa më shumë që dini, aq më shumë ju mund të vëreni çdo ndryshim në shputat tuaja.

Kontrollojini shputat tuaja çdo ditë

Për shkak të diabetit tuaj, problemet e shputave mund të përkeqësohen më shpejt. Kjo është arsyeja pse ne kemi marrë disa udhëzime se çfarë shenjash duhet të shikoni kur kontrolloni shputat tuaja. Nëse jeni gati për të mbathur çorapet tuaja, ose jeni duke i hequr ato para se të shkoni në shtrat, vështroni mirë. Për çfarëdo ndryshimi, ju duhet të vizitoheni menjëherë nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. Nëse nuk mundeni ti ngritni shputat lart, atëherë mund të keni nevojë të përdorni një pasqyrë për të parë thembrat e shputave tuaja. Nëse kjo është shumë e vështirë, ose nëse shikimi nuk është aq i mirë sa ishte, përpiquni të kërkoni ndihmë nga dikush tjetër ti kontrollojnë shputat tuaja. Dhe nëse keni nevojë për ndihmë, por jetoni vetëm, është mirë të flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor rreth asaj se si të kontrolloni shputat tuaja.

Kini kujdes nëse humbni ndjesinë

Nëse keni humbur ndonjë ndjesi në këmbë, atëherë duhet të kujdeseni për to pak më shumë. Ecja zbathur ose qëndrimi shumë afër radiatorëve apo ngrohësve është e rrezikshme. Mundohuni të jeni të kujdesshëm. Ndoshta as nuk e vëreni menjëherë nëse e lëndoni veten. Nëse nuk jeni të sigurt që keni humbur ndonjë ndjesi apo jo, atëherë mund të konsultoheni për këtë me një profesionist shëndetësor.

Kini kujdes gjatë prerjes së thonjve

Prerja e thonjve duket gjë e thjeshtë. Por nëse keni diabet, prerja e lëkurës gabimisht mund të çojë në lëndime të tjera. Dhe ndoshta as që do ta vëreni këtë.

Gjatë prerjes së thonjve të këmbës:

  • është mirë që t’i pritni shpesh, por jo shumë shkurtër ose shumë thellë anëve
  • është më e sigurt që t’i rregulloni me prerëse thonjsh dhe pastaj të përdorni një letër smerili për t’i sheshuar qoshet
  • është më së miri që të pastrohen butësisht me një brushë thonjsh.Mos i përdorni tehet e mprehta të gërshërëve për pastrim pasi kjo nuk është e sigurt.

Larja e përditshme është gjithashtu një mënyrë e thjeshtë për t’i mbajtur këmbët dhe thonjtë e këmbës të pastër dhe larg nga infeksioni. Mjafton vetëm një përzierje e thjeshtë e sapunit dhe ujit të ngrohtë, por gjithmonë kontrolloni temperaturën para se t’i vendosni këmbët aty. Kujdes mos i lëni këmbët në këtë përzierje për një kohë të gjatë, pasi kjo e bën lëkurën tejet të butë dhe më të cenueshme ndaj dëmtimit.

Nëse keni humbur ndonjë ndjesi në këmbë ose jeni të shqetësuar për thonjtë që rriten nga brenda, konsultohuni me ndonjë specialist të këmbëve. Ata kanë përvojë në trajtimin e këtyre rasteve.

Mos përdorni brisqe ose leukoplast për largimin e kallove

Lëkura juaj duhet të qëndrojë e shëndetshme. Mos përdorni leukoplast për t’i hequr kallot e as brisqe në kallot ose lëkurën tuaj të vrazhdë pasi ato mund t’ua dëmtojnë lëkurën. Edhe gurët me shtuf mund të ndihmojnë në lidhje me lëkurën e vrazhdë, por përdorni me kujdes. Nëse keni nevojë për ndihmë në lidhje me kallot apo problemet tjera të lëkurës, më së miri është që gjithmonë të konsultoheni me një podijatër.

Përdorimi i kremit zbutës do ta mbajë lëkurën tuaj të shëndetshme. Është më mirë të konsultoheni me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor rreth asaj se cili krem zbutës është i duhuri për ju. Mos e aplikoni kremin midis gishtërinjve të këmbës, pasi kjo mund të shkaktojë probleme. E njëjta gjë vlen për pudrën talk – nëse bllokohet mes gishtërinjve të këmbës, mund të shkaktojë edhe thatësi të tepërt.

Sigurohuni që mbathjet që i përdorni janë të përshtatshme për këmbët tuaja

Nëse këpucët ose çorapet tuaja janë shumë të ngushta, shumë të lirshme ose ushtrojnë presion mbi ju, atëherë mos i mbathni. Këpucët, getet, dhe çorapët e duhura do t’ju ndihmojnë t’i mbani shputat të shëndetshme.

Këpucët e papërshtatshme, edhe nëse ndiheni rehat në to, mund të shkaktojnë probleme të llojllojshme, ashtu siç mund të shkaktojnë edhe shtresat nën shputë apo çorapët me vrima ose shtresa të trasha.

Për këtë arsye duhet t’i zgjidhni me kujdes mbathjet. Këshillat tona do t’ju ndihmojë t’i gjeni mbathjet e duhura edhe në dyqane buzë rrugëve kryesore, me çmim të arsyeshëm. Është mirë të blihen këpucë që:

  • kanë kallëp të gjerë
  • kanë një hapësirë të thellë dhe të rrumbullakuar tek pjesa e gishtërinjve
  • janë të sheshta apo kanë taka të ulëta
  • lidhen me lidhëse ose tokëz në mënyrë që këmbët të mos rrëshqasin.

Menaxhoni diabetin tuaj

Mbajtja në nivel e sheqerit në gjak do t’ju ndihmojë në parandalimin e dëmtimit të shputave dhe mund të parandalojë përkeqësimin e gjendjes tuaj. Më lehtë është të thuhet sesa të bëhet. Ndoshta keni nevojë për ndihmë rreth asaj se si të hani mirë dhe të qëndroni aktiv? Apo mjekimi juaj nuk po ka sukses ashtu siç do duhej? Apo ndoshta thjesht duket sikur nuk mund t’i trajtoni siç duhet problemet që keni?

Përpiquni ta ndërprisni pirjen e duhanit

Shumica e njerëzve e dinë se pirja e duhanit nuk është e mirë për shëndet. Por nëse keni diabet, pirja e duhanit ka edhe më shumë efekt negativ tek ju. Pirja e duhanit e bën më të vështirë qarkullimin e gjakut, që është procesi kur gjaku qarkullon nëpër trup, duke përfshirë edhe shputat. Kështu që kjo ju vë edhe më afër rrezikut të amputimit.

Nëse mendoni se mund të keni nevojë për ndihmë për ta ndërprerë pirjen e duhanit, ndërmerrni hapin e parë dhe kërkoni ndihmë nga ekipi juaj i kujdesit shëndetësor.

Burimi: Diabetes UK (https://www.diabetes.org.uk/)

Mbështetur nga: